Këshillim Psikologjik
Çfarë është këshillimi psikologjik për burrat e dhunshëm?
Shërbimi i këshillimit psikologjik për burra është një program ndërhyrjeje, i cili synon reduktimin deri në ndalimin e plotë të akteve të dhunës, që ndjekësi i këtij programi kryen ndaj partneres apo familjarëve të tij. Nëpërmjet teknikave të ndërhyrjes, synohet parandalimi i sjelljeve të dhunshme dhe zëvendësimi i tyre me sjellje të reja pa dhunë.
Kush përfiton nga këshillimi i dhunuesit?
Keshillimi psikologjik, është i vetmi shërbim, nga i cili përfitojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë viktimat dhe dhunuesi. Nëpërmjet këshillimit rriten mundësitë që viktimat e dhunës të mos përjetojnë më dhunë. Gjithashtu këshillimi ndihmon shkaktarët e dhunës të ndërgjegjësohen për veprimet e tyre të dhunshme dhe të marrin përgjegjësitë për pasojat, që ato shkaktojnë tek viktimat, por edhe tek ai vetë.
Ky shërbim i vjen në ndihmë edhe të gjithë sistemit të ndërhyrjes kundër dhunës në familje, duke shtuar një qasje të re në zvogëlimin e fenomenit dhe rritjen e sigurisë për pjestarët e familjeve me histori dhune.
Objektivi kryesor i punës me burrat që kanë kryer akte dhune në familje, është ndalimi i dhunës. Këshillimi psikologjik i burrave synon të ndryshojë zakonet dhe sjelljet e agresive të dhunuesve, duke i zëvendësuar ato me sjellje dhe zakone të reja të çliruara nga dhuna.
Çfarë ndodh gjatë proçesit të këshillimit?
Praktikat e ndërhyrjes bazohen në besimin që dhuna është një sjellje e mësuar dhe burrat që kryejnë akte dhune, e kanë mundësinë dhe aftësinë për të modifikuar dhe ndryshuar sjelljet e tyre te dhunshme.
Gjatë proçesit të këshillimit fokusi vihet mbi temën e dhunës, marrëdhënien që klienti ka me dhunën, besimet, bindjet, traditat, modelet, normat e klientit dhe një peshë të madhe zë diskutimi mbi aktet e dhunës së kryer nga klienti dhe pasojat e kësaj dhune tek viktimat e tij.
Këshillimi tek ZDB është individual. Nje cikël zgjat minimalisht 16 seanca. Seanca zgjat 50-55 minuta dhe çdo klient ndjek 1 seancë në javë.
Cikli i këshillimit përbëhet nga këto faza kryesore:
- Hyrja në shërbim. Klienti njihet me ofertën tonë, kushtet, rregullat dhe pritshmëritë nga ky këshillim.
- Këshilluesi përpiqet të zbulojë dhe stimulojë arsyet dhe motivimin e klientit për të ndryshuar sjellje.
- Këshilluesi njihet me historinë e klientit. Gjatë kësaj faze flitet për mendimet, besimet, ndjesitë, normat, që ndikojnë në emocionet dhe veprimet e tij, etj…
- Ri-ndërtimi i historisë së dhunës (aktit të dhunës). Kjo fazë e këshillimit synon përballjen e klientit me veprimet e tij të dhunshme dhe pasojat e tyre.
- Kuptimi dhe pranimi i përgjegjësisë për dhunën e ushtruar.
- Ngritja dhe zbritja emocionale gjate nje krize
- Adaptimi dhe përforcimi i sjelljeve te reja per menaxhimin dhe zgjidhjen e konflikteve, pa përdorur dhune.
Standartet e shërbimit
- Fokusi kryesorë i punës tonë është siguria e viktimave dhe fëmijëv të familjeve me histori dhune.
- Dhuna dhe sjelljet abuzivë të çdo lloji, kundrejt partnerit, fëmijëve apo familjarëve të tjerë është e papranueshme dhe nuk ka justifikim.
- Dhunuesi është 100% përgjegjës për aktet e dhunshme që ai kryen dhe sjelljet abusive janë zgjedhje e tij.
- Predispozita dhe zgjedhja e vullnetshme për të ushtruar dhunë kundrejt partnerit janë sjellje të mësuara dhe të ndikuara nga pritshmëri të krijuara mbi baza gjinore.
- Këshillimi dhe çdo e dhënë apo informacion që del gjatë proçesit është konfidencial dhe ruhet në privatësi të plotë.
- Këshillimi nuk mund të zhvillohet me persona që janë konsumues të alkoolit, substancave, apo vuajnë nga çrregullime të rënda mendore.